Në bashkëpunim me Komunën e Malishevës dhe Shoqatën “Miqësia”, u mbajt ligjërata me temën “Socializimi dhe shëndeti mendor i të moshuarve”, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e kujdesit dhe përfshirjes sociale të kësaj kategorie të shoqërisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Zyra e Kryetarit, drejtorë të drejtorive komunale, koordinatorja e Zyrës për Barazi Gjinore, Vera Bytyqi, si dhe përfaqësues të sektorëve të arsimit, shëndetësisë dhe shoqërisë civile.
Në fjalën e saj, Vera Bytyqi theksoi se shëndeti mendor nuk njeh dallime gjinore apo shoqërore dhe se kujdesi ndaj të moshuarve duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe i gjithë shoqërisë.
Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Amrush Helshani, vlerësoi rëndësinë e socializimit për mirëqenien e të moshuarve, duke theksuar se pjesëmarrja aktive në jetën shoqërore ndikon pozitivisht në cilësinë e jetës së tyre.
Ligjëruesja Zebide Ibrahimi foli për rëndësinë e kujdesit ndaj të moshuarve, duke theksuar se ata kanë nevojë të socializohen më shumë për shkak të rrezikut nga izolimi social. Ajo shtoi se me kalimin e moshës rritet rreziku për sëmundje të ndryshme, prandaj mbështetja familjare, institucionale dhe përfshirja në aktivitete shoqërore janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit mendor dhe fizik.
Gjatë ligjëratës u theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe e barazisë ndërmjet brezave, si një vlerë e domosdoshme për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe më solidarizuese.