Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar nga drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Halil Musliu, si dhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Dr. Vjollca Kadolli-Halili, priti sot në takim drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana dhe zyrtarin e SP të Gjilanit Kudret Rexhepi.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Komunës së Vitisë dhe Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, me fokus në avancimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e komunës.
Tema kyçe ishte funksionalizimi i Poliklinikave Specialistike, projekt ky i Ministrisë së Shëndetësisë, ku përfituese është edhe Komuna e Vitisë. Tema tjetër e rëndësishme e diskutimit ishte projekti për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti, projekt i përfituar nga Ministria e Shëndetësisë për vitin 2027. Në këtë kuadër u shqyrtua mundësia që pas funksionalizimit të objektit të ri, objekti ekzistues i QKMF-së së Vitisë të shndërrohet në Poliklinikë, ku do të ofroheshin shërbime specialistike për qytetarët.
Po ashtu, u bisedua për decentralizimin e shërbimeve shëndetësore, me synim afrimin e tyre sa më pranë qytetarëve.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shëndetësore është kyç për rritjen e cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët e Komunës së Vitisë.