Tema të tjera...
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas publikimit të raportit të fundit të NDI-së, duke e cilësuar atë si një pasqyrim të qartë të përkeqësimit të gjendjes në Kosovë dhe një sinjal se vendit i nevojitet një ndryshim i thellë politik. Sipas Gjinit, rritja e numrit të qytetarëve që besojnë se Kosova po ecën në drejtim të gabuar, si dhe shtimi i atyre që dëshirojnë të largohen nga vendi, janë tregues shqetësues që kërkojnë reagim të menjëhershëm. Ai theksoi se shqetësimet kryesore të qytetarëve mbeten rritja e çmimeve, faturat e energjisë elektrike, mungesa e vendeve të punës dhe korrupsioni, duke shtuar se këto probleme po rëndojnë përditshmërinë e familjeve kosovare. Gjini tha se pikërisht ky realitet e ka shtyrë Aleancën të ofrojë një program me gjashtë pika, të cilin e konsideron si zgjidhje strategjike për sfidat me të cilat përballet vendi. Sipas tij, propozimet përfshijnë investime në gazin amerikan dhe ndërtimin e një termocentrali të ri për rritjen e sigurisë energjetike, si dhe masa fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve dhe bizneseve. Ai përmendi uljen e TVSH-së për produktet ushqimore dhe ato të higjienës për gratë dhe fëmijët, heqjen e tatimit në pronë për tokën e punuar, si dhe rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset deri në 100 mijë euro.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
