Bashkimi Evropian i ka dërguar një mesazh të qartë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kërkuar që të shmangen deklaratat që nxisin tensione dhe pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Duke komentuar deklaratat e fundit të Vuçiqit për Kosovën, zëdhënësi i Komisionit Evropian theksoi se dialogu mbetet e vetmja rrugë për arritjen e një marrëveshjeje dhe për avancimin e të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian. “Vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në këtë qëllim”, deklaroi zëdhënësi i BE-së. Ai rikujtoi se përparimi në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është kusht themelor për ecjen përpara të të dyja vendeve në procesin e integrimit evropian. Reagimi i BE-së vjen pasi Vuçiq, gjatë promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë së Serbisë më 25 korrik në Beograd, deklaroi se mbrojtja e “integritetit territorial” të Serbisë mbetet prioritet shtetëror dhe përsëriti pretendimin se Kosova është pjesë e Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës serbe. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, ndërsa Serbia vazhdon të mos e njohë atë. Pavarësisht dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që zhvillohet që nga viti 2011, zbatimi i marrëveshjeve të arritura ka mbetur i kufizuar, ndërsa retorika politike vazhdon të mbetet një nga pengesat kryesore në procesin e normalizimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
