Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka akuzuar shumicën parlamentare se po e zvarrit me qëllim procesin e konstituimit të Kuvendit, duke paralajmëruar se çdo shtyrje përtej afatit kushtetues do të ishte dëshmi se kriza institucionale po përdoret për interesa zgjedhore. Pas takimit me ushtruesen e detyrës së kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe përfaqësues të partive parlamentare, Tahiri tha se Aleanca ka ngritur dy shqetësime kryesore: nevojën për konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit dhe kundërshtimin e çdo përpjekjeje për ta shtyrë këtë proces përtej 7 gushtit. Ai theksoi se është e pakuptueshme që, për katër muaj, opozita është akuzuar për bllokimin e institucioneve, ndërkohë që kanë kaluar tashmë katër javë nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe Kuvendi ende nuk është konstituuar. Sipas Tahirit, caktimi i seancës më 6 gusht, vetëm një ditë para skadimit të afatit, ngre dyshime serioze për mënyrën se si po menaxhohet procesi. “Vendi i Kosovës nuk duhet të bëjë lojëra me konstituimin e Kuvendit. Çfarëdo përpjekjeje për të interpretuar afate të reja ose për të shtyrë edhe një muaj këtë proces vetëm sa e dëmton shtetin dhe e konfirmon bindjen tonë se kjo stërzgjatje ka prapavijë zgjedhore”, deklaroi ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
