Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Xhavit Zariqi, sot ka mbajtur mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunës. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe drejtorët e drejtorive komunale, si dhe anëtarët e Kuvendit të Komunës.
Gjatë mbledhjes, një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte shqyrtimi i Raportit të Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Komunës së Ferizajt për vitin 2025, për të cilin u zhvillua një debat i gjerë nga anëtarët e Kuvendit.
Drejtoresha e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, prezantoi raportin financiar për periudhën janar–qershor 2026, duke informuar kuvendarët për realizimin e buxhetit dhe gjendjen financiare të komunës.
Ndërkaq, drejtoresha e Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Festina Sadiku, paraqiti disa propozim-vendime, ndër të cilat: shpalljen e interesit të përgjithshëm të ngastrave kadastrale 678-1 dhe 678-2 në Zonën Kadastrale Talinovc i Jerlive, këmbimin e pjesëve të ngastrave kadastrale 320-0, 321-2 dhe 308-6, pronë private, me një pjesë të ngastrës kadastrale 459-1, pronë e Komunës së Ferizajt, në Zonën Kadastrale Talinovc i Jerlive, si dhe shpalljen e interesit të përgjithshëm të ngastrës kadastrale 100-1 në Zonën Kadastrale Ferizaj. Të gjitha këto propozim-vendime u miratuan nga Kuvendi.
Po ashtu, drejtoresha e Financave paraqiti propozim-vendimin për miratimin e Rregullores për Taksa Komunale. Gjatë shqyrtimit të saj u theksua se rregullorja përmban plotësim-ndryshime që prekin, ndër të tjera, Drejtorinë e Urbanizmit dhe Drejtorinë e Arsimit.
Në këtë mbledhje u miratua edhe propozim-vendimi për plotësim-ndryshimin e Strategjisë për Zhvillimin dhe Fuqizimin e Rinisë në Komunën e Ferizajt 2024–2029, si dhe Planit të Veprimit 2024–2027.
Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve Publike, Alberton Sahiti, prezantoi propozim-vendimin për ngritjen e tarifave dhe ndryshimin e Rregullores nr. 01/124 për Parkingjet Publike në Komunën e Ferizajt, si dhe propozim-vendimin për miratimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Ferizajt.
Në fund të mbledhjes, Kuvendi miratoi edhe propozim-vendimin për bashkëfinancim me GLV “Bifurkacioni”.