Shqipëria përgatitet për BE-në, nisin procedurat për shfuqizimin e marrëveshjeve tregtare me vendet jashtë Unionit

Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet për harmonizimin e politikës së saj tregtare me Bashkimin Evropian, duke njoftuar partnerët ndërkombëtarë se marrëveshjet dypalëshe të tregtisë së lirë do të pushojnë së vlejturi në momentin e anëtarësimit të vendit në BE. Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, bëri të ditur se ky proces është pjesë e detyrimeve që rrjedhin nga kapitulli 30 i negociatave të anëtarësimit, i cili kërkon përshtatjen e plotë të politikës tregtare me atë të Bashkimit Evropian. Sipas tij, me hyrjen në BE, Shqipëria do të zbatojë automatikisht të gjitha marrëveshjet tregtare dhe të investimeve që Bashkimi Evropian ka me vendet e treta, ndërsa marrëveshjet ekzistuese të Shqipërisë do të dalin jashtë fuqisë. Yzeiraj theksoi se marrëveshjet me Britaninë e Madhe dhe Turqinë, si dy partnerë të rëndësishëm tregtarë, do të rishikohen në përputhje me kuadrin që BE-ja ka me këto vende. Po ashtu, do të pushojnë së zbatuari edhe marrëveshja e CEFTA-s, si dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila aktualisht rregullon marrëdhëniet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Autoritetet shqiptare vlerësojnë se integrimi në tregun e përbashkët evropian do të sjellë edhe mundësi të reja ekonomike. Sipas Yzeirajt, Shqipëria do të përfitojë nga marrëveshjet e reja tregtare që Bashkimi Evropian po negocion me partnerë të rëndësishëm globalë, përfshirë bllokun Mercosur në Amerikën e Jugut, si dhe me Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re.

Kontrolloni gjithashtu

Kolona kilometrike në kufirin Kroaci–Mali i Zi, Shqipëria kërkon përshpejtimin e kalimit të mërgimtarëve

Fluksi i madh i automjeteve në pikat kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi ka …