Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka deklaruar se në Kosovë vazhdojnë të ekzistojnë shumë varreza masive të pazbuluara, duke theksuar se zbulimi i tyre do të dëshmonte përmasat e krimeve të kryera gjatë luftës dhe do të rikthente në qendër të vëmendjes përgjegjësinë e shtetit serb. Biserko u shpreh se Serbia nuk është përballur kurrë realisht me të kaluarën e saj, pavarësisht dënimeve që Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë u ka shqiptuar drejtuesve ushtarakë dhe politikë serbë për krimet e kryera në Kosovë. Ajo kritikoi edhe funksionimin e gjykatës serbe për krime lufte, duke thënë se nuk i ndoqi penalisht autorët e nivelit më të ulët, ndonëse ishte krijuar pikërisht për këtë qëllim. Sipas saj, kjo ka bërë që shumë persona përgjegjës për krime të mbeten pa u ndëshkuar. Biserko përmendi edhe ish-komandantin e Brigadës së 37-të të Motorizuar, Lubisha Dikoviq, duke pretenduar se ndaj tij ekzistojnë dëshmi dhe referenca për përgjegjësi në krime lufte në Kosovë, megjithatë ai më vonë u promovua në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë. Sipas saj, narrativa zyrtare në Serbi vazhdon ta paraqesë popullin serb si viktimën kryesore të luftërave në ish-Jugosllavi, ndërsa shmang përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Biserko rikujtoi se gjatë luftës në Kosovë mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre dhe se shumë prej tyre mbetën pa dokumente personale, në kuadër të përpjekjeve për spastrimin etnik. Ajo shtoi se kthimi i tyre u bë i mundur vetëm pas ndërhyrjes së NATO-s.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
