Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka mbrojtur vendimin për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, duke theksuar se kjo nuk paraqet asnjë rrezik për sovranitetin apo integritetin territorial të Shqipërisë. Në një intervistë për Top Channel, Hoxha deklaroi se funksionimi i çdo përfaqësie diplomatike në territorin shqiptar rregullohet nga ligji ndërkombëtar dhe legjislacioni shqiptar, duke hedhur poshtë pretendimet se një konsullatë i jep shtetit dërgues kompetenca mbi territorin ku vendoset. “Hapja e një konsullate nuk i jep shtetit dërgues asnjë lloj pushteti apo sovraniteti mbi qytetin, territorin apo popullsinë ku ajo vendoset. Çdo prani diplomatike funksionon në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ai. Ministri theksoi se objektivi i Shqipërisë mbetet hapja e një konsullate në Bujanoc, për të qenë më pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke nënvizuar se ky angazhim diplomatik me Serbinë nuk ndryshon në asnjë mënyrë qëndrimin e palëkundur të Tiranës në mbështetje të Kosovës. “Qëndrimi i Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës ka qenë dhe mbetet i qartë, i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm”, deklaroi Hoxha. Sipas tij, reciprociteti është një parim bazë i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe vetëm përmes tij mund të realizohet objektivi për të ofruar shërbime konsullore për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
