Bedri Tahiri: VEPRA LETRARE E AHMET QERIQIT - KRONIKË ARTISTIKE E KUJTESËS KOMBËTARE

Bedri Tahiri: VEPRA LETRARE E AHMET QERIQIT – KRONIKË ARTISTIKE E KUJTESËS KOMBËTARE

Në bibliotekën e qytetit, në kuadër të Panairit të Librit 2026, Forumi i Intelektualëve të Shtimes organizoi tryezën “Portrete Krijuesish”, kushtuar jetës, veprës dhe kontributit shumëdimensional të profesor Ahmet Qeriqit
Kumtesa ime:
VEPRA LETRARE E AHMET QERIQIT- KRONIKË ARTISTIKE E KUJTESËS KOMBËTARE
Të respektuar familjarë të Prof. Ahmet Qeriqit!
Të nderuar organizatorë dhe ju të pranishëm!
Veprimtarë të çështjes kombëtare, komandantë, luftëtarë, veteranë, invalidë, familjarë të dëshmorëve, intelektualë, krijues letrarë!
Në letërsinë bashkëkohore shqiptare, sidomos në atë që u zhvillua pas luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare së Kosovës, Profesor Ahmet Qeriqi zë një vend të veçantë si krijues që ndërthur përvojën jetësore, kujtesën historike dhe artin e rrëfimit. Autor i 25 veprave letrare dhe historike, përfshirë romane, kronika letrare e historike, si dhe libra studimorë. Ai nuk është thjesht romancier; ai është kronist i kohës, dëshmitar i ngjarjeve dhe ndërtues i një universi letrar ku historia nuk mbetet vetëm fakt, por shndërrohet në përjetim artistik. Kjo e bën veprën e tij një urë lidhëse ndërmjet dokumentit historik dhe letërsisë. Shëmbëlltyrë për brezat e ardhmërisë! I sprovuar në burgje e në ilegalitet, në luftë e në paqe…
Profesor Ahmet Qeriqi, një personalitet poliedrik: gazetar, publicist, i burgosur politik, luftëtar, redaktor, botues i serisë “Feniksët e lirisë”, drejtues i radios kombëtare Kosova e Lirë dhe i televizionit DIELLI, mbi të gjitha shkrimtar, me penën e tij të mprehtë, që prej kohësh iu ka rrekur trajtimit të temave të mëdha të dhimbjes sonë krenare, temave historike, të cilat, duke i pasqyruar e realizuar artistikisht, na i bën edhe më të kapshme e më të lehta për përjetime individuale.
Nga opusi i gjerë i veprës romaneske të Ahmet Qeriqit, kam veçuar dy realizime me peshë të veçantë artistike dhe ideore, romanet: “Guri i Betimit” dhe “Betimi i motrës”. Ndonëse secili ka individualitetin e vet kompozicional dhe rrëfimtar, të dy ndërtohen mbi të njëjtin bosht filozofik: besnikërinë ndaj atdheut, nderin, sakrificën dhe vazhdimësinë historike të qëndresës shqiptare.
Në këto romane, autori nuk synon vetëm të rindërtojë ngjarje historike apo të sjellë në kujtesë episode të së kaluarës. Ai depërton në botën shpirtërore të personazheve, duke dëshmuar se historia e një kombi ndërtohet mbi vendimet, betimet dhe flijimet e njerëzve të zakonshëm, të cilët në çaste vendimtare shndërrohen në bartës të idealeve të mëdha. Kështu, rrëfimi fiton një dimension të dyfishtë: ai është njëkohësisht histori dhe letërsi, dokument kujtese dhe krijim artistik.
Vetë titujt kanë simbolikë të veçantë. Fjala betim shfaqet si simbol qendror i etikës shqiptare, guri përfaqëson qëndrueshmërinë, lashtësinë dhe themelet e identitetit, motra mishëron dimensionin njerëzor të sakrificës, dashurisë dhe besës. Këto simbole e pasurojnë strukturën semantike të romaneve dhe u japin atyre një rezonancë që shkon përtej ngjarjes konkrete.
Romani “GURI I BETIMIT” si një vepër e veçantë në letërsinë shqipe, është rezultat i studimeve shumëvjeçare të autorit për Mesjetën, jo vetëm në burime serbe e evropiane, por edhe në burime turke, greke, raguziane, shqiptare, pastaj në kujtesën historike shqiptare, konkretisht në eposin e këngëve të Luftës së Kosovës…
Një vend me rëndësi në këtë roman, i kushtohet edhe Luftës së Kosovës së 15 qershorit të vitit 1389 dhe trimit drenicas, Milush Kopiliqit.
Kjo kronikë historike, letrare, është një përpjekje për pasqyrimin objektiv të rrethanave politike e shoqërore, të cilat kanë ekzistuar në gjysmën e dytë të shekullit 13-të, me qëllim për ta njëzuar kronikën e ngjarjeve historike me segmentin letrar, imagjinar, që rrjedhë nga tërësia e ballafaqimit të fakteve reale, dokumentare e historike.
Ndërkaq, tema e romanit “Betimi i motrës” nuk është as e panjohur as e re, është: Fati i rëndë i femrës shqiptare, në kohën e regjimit vrastar serb! Në fakt, të gjithë kemi dëgjuar e lexuar rrëfime e vargje kushtuar vajzës trimëreshë, Hasimes, e cila veshur si Shotë Galica, merr gjakun e dy vëllezërve të saj, diku në gjysmën e parë të shekullit XX. Qitja pushkë e motrës për vëllezër është motiv i njohur në traditën tonë dokesore. Fati i Hasimes, pas mbytjes së gardianit serb në burg, i cili kishte tentuar ta dhunonte, kishte mbetur mister i pazbuluar…Të gjithë mendonin se jeta e saj kishte përfunduar në qelitë e burgut…
Mirëpo, autori i romanit, si një gjurmues e qëmtues ngulmues, arrin ta zbardh edhe këtë detaj, pasi, në burgun ku po vuante vetë, në burgun e Suboticës (1986), takon një hungarez, të quajtur Joshka, i cili vinte nga një familje me lidhje gjaku shqiptar, përkatësisht nipin e Hasimes, e cila pas shumë peripecive, lidhet me gardian Mitarin, me origjinë shqiptare, dhe arrijnë të arratisen në Hungari…
“Gjyshja ime, Zhana, kështu e quanin, ishte me origjinë shqiptare…Ajo ka vdekur pesë vjet pasi kam lindur unë. E kam dashur shumë, meqë jam rritur në duart dhe në prehrin e saj…Ajo ka qenë nga një fshat i juaj atje në Kosovë…Kur ishte rritur, dikush ia kishte vrarë të dy vëllezërit dhe ajo ishte hakmarrë…-kishte rrëfyer i burgosuri hungarez…
Siç duket mjaftoi kjo shkëndijë për ta ndezur imagjinatën e bujshme të autorit, që, brumin e kësaj ngjarjeje të trajtuar në letërsinë tonë të pasur gojore, ta mbarshtrojë artistikisht dhe, përmes një rrëfimi origjinal të diskursit letrar, të realizoi një roman të mrekullueshëm që do të lexohet me ëndje nga të gjithë lexuesit kureshtarë.
Gërshetimi i temës bosht me ngjarjet e shumta historike, të rezistencës shqiptare të atyre viteve, lidhja emocionale e protagonistes me heroinën Shotë Galica e me të bëmat e kryetrimit të luftërave çlirimtare, Azem Galica, i jep romanit përmasat e një vepre me vlera të veçanta e me shtrirje të gjithmbarshme kombëtare.
Heroina e romanit “BETIMI I MOTRËS”, vajza me emrin Zana, e bija e Murat Marashit, përjeton e ç’nuk përjeton. Ajo rritet përplot me sfida e me shumë mundime. Zezonat e përcollën që nga fëmijëria, kur një serb u mundua t’ia dhunonte të ëmën, Salën, por e kishte paguar me kokë, paskëtaj vrasja e dy vëllezërve, Limit e Lanit, martesa me të moshuarin, Lilë Bagra, me kusht që do t’ia merrte hakun për vëllezërit e vrarë, betimi i saj dhe realizimi i atij betimi, burgosja dhe mbytja e gardianit në burg, njohja me gardianin zemërmirë hungarez, ikja në Hungari…mbetet shëmbëlltyrë e femrës shqiptare, që reflekton dhe përligj veprimet gjatë gjithë faqeve të romanit…
Romani është i mbushur me rrëfime të jetës shqiptare nën robëri: skamjen, varfërinë, vrasjet, që i kurdiste regjimi, shpërnguljen e disa familjeve shqiptare për në Turqi, me qëllim për të shpëtuar nga regjimi vrastar, por edhe qëndresën për të mbijetuar dhe për të mos u pajtuar me robërinë.
Narracioni i romanit, përplot dramacitet, me një rrjedhë logjike e kronologjike të ngjarjeve, gjuha e pasur dhe pastër, me refleksione të fuqishme nga historia dhe etnografia shqiptare, portretizimi dhe mishërimi i natyrshëm etnopsikologjik i personazheve, bëjnë që romani të lexohet me një frymë dhe ngjarjet të të mbesin gjatë në kujtesë.
Romanet e Ahmet Qeriqit ndërtohen mbi bindjen se historia e një populli nuk është vetëm histori luftërash, por edhe histori e kujtesës. Për këtë arsye, ai i rikthehet vazhdimisht figurave historike, traditës shqiptare, besës, nderit dhe rezistencës, duke krijuar një vazhdimësi shpirtërore që lidh mesjetën, Rilindjen Kombëtare, qëndresën kundër pushtuesve dhe luftën çlirimtare të Kosovës. Kjo vazhdimësi ideore përbën boshtin e pothuajse gjithë krijimtarisë së tij romaneske.
Në fund, mund të thuhet se romanet e Ahmet Qeriqit nuk synojnë vetëm kënaqësinë estetike të lexuesit. Ato synojnë ruajtjen e kujtesës historike, edukimin e brezave dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar. Përmes tyre, autori dëshmon se letërsia mund të jetë njëkohësisht art, dokument shpirtëror dhe testament kombëtar.
Që nga lashtësia është thënë: Njerëzit e mëdhenj jetojnë pas vdekjes!
Kjo i përgjigjet më së miri profilit krijues e Njeriut shëmbëlltyrë, Profesor Ahmet Qeriqit!
Lavdi për jetë e mot, të pavdekshmit Ahmet Qeriqi!
Shtime, 3 gusht 2026

Kontrolloni gjithashtu

Forumi i Intelektualëve në Shtime, organizon tryezë kushtuar jetës dhe veprës së profesor Ahmet Qeriqit

Në kuadër të Panairit të Librit 2026, Forumi i Intelektualëve të Shtimes organizon tryezën me …