Refuzimi i PDK-së dhe AAK-së e ngushton rrugën e marrëveshjes, presidenti mbetet nyja e krizës politike

Përpjekjet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të arritur një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse kanë hasur në refuzimin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke e lënë dialogun të kufizuar vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Një ditë para takimit me Lumir Abdixhikun, Kurti u kishte dërguar ftesë edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe atij të AAK-së, Ardian Gjini, por të dy refuzuan të ulen në tavolinën e bisedimeve. Kurti ka deklaruar se synimi i tij mbetet konstituimi sa më i shpejtë i Kuvendit, formimi i Qeverisë së re dhe zgjedhja e presidentit, duke theksuar se Kosova nuk ka nevojë të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, pikërisht mungesa e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit ishte arsyeja që vendi shkoi në zgjedhjet e 7 qershorit, të tretat që nga shkurti i vitit 2025. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 58 mandate dhe, bashkë me deputetët e komuniteteve joshumicë, i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, procese që kërkojnë të paktën 61 vota. Ndryshe paraqitet situata për zgjedhjen e presidentit. Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë që procesi i votimit të jetë i vlefshëm, çka e bën të domosdoshëm një kompromis më të gjerë politik. Në këtë kontekst, një marrëveshje me LDK-në, e cila ka 18 deputetë, do t’i siguronte shumicës së paku 81 vota, duke krijuar kushtet për zgjedhjen e presidentit, nëse deputetët marrin pjesë në seancë.

Kontrolloni gjithashtu

Haga heq kufizimet për disa vizitorë të Hashim Thaçit, ndalesa vazhdon për katër të tjerë

Gjyqtari Christopher Gosnell ka marrë më 21 shtator vendim për ndryshimin e kufizimeve lidhur me …