Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka konfirmuar se partia e tij refuzon çdo mundësi negociatash me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për pjesëmarrje në qeverinë e re, duke e cilësuar qeverisjen e deritanishme si “brutale”. Gjini tha se qëndrimi i Aleancës është i pandryshueshëm dhe se partia nuk synon të bëhet pjesë e ekzekutivit. “Premisat janë të qarta për ne. Nuk kemi synim të jemi pjesë e qeverisë. Ne duam që peshën tonë politike ta vendosim në interes të qytetarëve”, deklaroi ai. Gjini kritikoi ashpër mënyrën e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se AAK ka ofruar alternativa për ta nxjerrë vendin nga kriza politike dhe institucionale. “Karakteri qeverisës është brutal. Ne kemi kërkuar disa pika që besojmë se janë në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe që do ta ndihmonin vendin të dilte nga kriza permanente”, u shpreh ai. Duke përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi në ekzekutiv, Gjini theksoi se Aleanca nuk ka asnjë arsye të negociojë me Albin Kurtin. “Nuk kemi çka të negociojmë me Kurtin, sepse në qeveri nuk duam të hyjmë”, përfundoi ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
