Refuzimi i PDK-së dhe AAK-së e ngushton rrugën e marrëveshjes, presidenti mbetet nyja e krizës politike

Përpjekjet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të arritur një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse kanë hasur në refuzimin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke e lënë dialogun të kufizuar vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Një ditë para takimit me Lumir Abdixhikun, Kurti u kishte dërguar ftesë edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe atij të AAK-së, Ardian Gjini, por të dy refuzuan të ulen në tavolinën e bisedimeve. Kurti ka deklaruar se synimi i tij mbetet konstituimi sa më i shpejtë i Kuvendit, formimi i Qeverisë së re dhe zgjedhja e presidentit, duke theksuar se Kosova nuk ka nevojë të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, pikërisht mungesa e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit ishte arsyeja që vendi shkoi në zgjedhjet e 7 qershorit, të tretat që nga shkurti i vitit 2025. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 58 mandate dhe, bashkë me deputetët e komuniteteve joshumicë, i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, procese që kërkojnë të paktën 61 vota. Ndryshe paraqitet situata për zgjedhjen e presidentit. Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë që procesi i votimit të jetë i vlefshëm, çka e bën të domosdoshëm një kompromis më të gjerë politik. Në këtë kontekst, një marrëveshje me LDK-në, e cila ka 18 deputetë, do t’i siguronte shumicës së paku 81 vota, duke krijuar kushtet për zgjedhjen e presidentit, nëse deputetët marrin pjesë në seancë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Grajqevci: Shkrimi i gazetarës Blerta Ahmeti "Pritet kthimi i eshtrave të profesor Ukshin Hotit" është i pavërtetë dhe tendencioz

Dyshime për varreza të reja masive në veri të Kosovës: Familjarët e të zhdukurve kërkojnë zbardhjen e fatit të viktimave të luftës

Ahmet Grajqevci thotë se dyshimet për lokacione të fshehjes së trupave ekzistojnë që nga paslufta, …