Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka kritikuar ashpër zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke deklaruar se institucioni më i lartë përfaqësues i vendit është keqpërdorur për interesa politike. Daka tha se Kuvendi, si “vatra e demokracisë”, po përdoret për qëllime partiake dhe jo në funksion të interesit publik. Sipas saj, situata e krijuar ka nxjerrë në pah se partia fituese e zgjedhjeve nuk i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe, për këtë arsye, po ushtron presion ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Në fakt, sot ka dalë në pah ajo që të gjithë e dinë, e ajo është se partia që i ka fituar zgjedhjet e fundit nuk i ka votat për president dhe dëshiron që në këtë mënyrë t’i shantazhojë partitë politike, në rastin konkret LDK-në. Të vetmit që kanë treguar pak gatishmëri për të hyrë në qeveri me LVV-në janë LDK-ja dhe, duke mos i plotësuar dëshirat e tyre, Kurti tenton që t’i shantazhojë”, u shpreh Daka. Ajo shtoi se, sipas vlerësimit të saj, moskonstituimi i Kuvendit po përdoret si mjet presioni ndaj LDK-së, me paralajmërimin se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje nëse nuk arrihet një marrëveshje politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
