Sot, në qendër të Malishevës, është zhvilluar ceremonia festive e vendosjes së gurthemelit të “Xhamisë së Gurit”, një projekt i rëndësishëm ky për komunitetin lokal dhe infrastrukturën fetare e kulturore të qytetit.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, si dhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë, Sead Paqarizi, të shoqëruar nga përfaqësues të tjerë institucionalë dhe qytetarë të shumtë.
Përmes një deklarate për mediat, kryetari Ekrem Kastrati e vlerësoi fillimin e punimeve si një moment me peshë të veçantë për të gjithë banorët e zonës.
“Fillimi i këtij projekti është një moment i rëndësishëm për qytetin tonë. Përveç funksionit fetar, ky kompleks do të jetë një hapësirë për kultivimin e vlerave, solidaritetit dhe shërbimit ndaj komunitetit,” u shpreh Kastrati, duke përgëzuar Bashkësinë Islame dhe qytetarët për nisjen e punimeve dhe duke uruar që kompleksi të përfundojë brenda afateve të parapara.
Projekti i “Xhamisë së Gurit” synon jo vetëm plotësimin e nevojave të besimtarëve për kryerjen e riteve fetare, por edhe krijimin e një hapësire multifunksionale sociale në shërbim të komunitetit të Malishevës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
