Deçani dëshmon edhe një herë se është komunë e qetë, ku respektohen të drejtat dhe liritë e secilit qytetar.
Komuna e Deçanit e ka bërë të qartë vazhdimisht, në të gjitha takimet dhe komunikimet zyrtare me institucionet dhe nivelet e sigurisë në Republikën e Kosovës, se Deçani është një komunë e qetë, e sigurt dhe shembull i bashkëjetesës dhe respektimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Këtë realitet e dëshmon edhe vendimi i sotëm i KFOR-it për bartjen e përgjegjësive të sigurisë tek Policia e Kosovës në zonën përreth Manastirit të Deçanit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e normalizimit dhe forcimit të përgjegjësive të institucioneve vendore të sigurisë.
Komuna e Deçanit shpreh mirënjohjen e saj të thellë për KFOR-in, NATO-n dhe të gjitha shtetet anëtare që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në Deçan dhe në Republikën e Kosovës, për punën e jashtëzakonshme, përkushtimin dhe kontributin e tyre të çmuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Populli i Kosovës do t’ju jetë përherë mirënjohës për kontributin tuaj në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes në vendin tonë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
