Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili paralajmëroi angazhimin e ekspertëve për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër. Tirana zyrtare e ka cilësuar këtë plan si një tentativë të papranueshme për të përdorur ujin si instrument presioni politik ndaj Kosovës.
Ministri Ferit Hoxha shprehu “shqetësim të thellë” dhe i kujtoi Beogradit se lumi Ibër është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar, prandaj nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme apo me vendime të njëanshme. Çdo ndërhyrje që prek mjedisin, sigurinë dhe furnizimin me ujë të Kosovës përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas Hoxhës, Serbia është palë e Konventës së UNECE-së që prej vitit 2010 dhe ka detyrim ligjor të parandalojë dëmet ndërkufitare, të shkëmbejë informacion dhe të konsultohet me palën e prekur.
Pretendimi i Vuçiç se plani daton që nga viti 1985 dhe mund të ulë nivelin e ujit në liqenin e Ujmanit — burim vital për Kosovën — pason aksionet e fundit të autoriteteve kosovare për prishjen e ndërtimeve pa leje rreth liqenit. Shqipëria rikonfirmoi mbështetjen e saj të plotë për të drejtat e Kosovës mbi burimet ujore, duke kërkuar që çështja të trajtohet përmes dialogut dhe standardeve evropiane, e jo me kërcënime apo veprime me prapavijë politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
