Abedin Balaj: Reagim – KULLA NË DOBËRDELAN – MEMORIAL I LUFTËS PA HISTORINË E TIJ TË VËRTETË

Në Dobërdelan u ngrit një kullë, kushtuar daljes publike të UÇK-së, për herë të parë për komunën e Suharekës.
Në inaugurimin e kësaj kulle, që u bë më 5 qershor 2026, dolën disa persona si organizatorë të manifestimit, të cilët, me paraqitjen e tyre, u përpoqën të krijonin përshtypjen dhe bindjen te pjesëmarrësit dhe te opinioni i gjerë, se gjoja ishin ata që bënë të mundur daljen publike të UÇK-së, të cilën e simbolizon ky monument. Në këtë inagurim të kësaj kulle, nuk u tha e vërteta për këtë periudhë të UÇK-së. Edhe në paraqitje të tjera publike, për dy dekada, nuk e folën të vërtetën asnjëherë. Ata duket se i frikohen të vërtetës. E shtrembëruan këtë të vërtetë, duke bërë përpjekje ta falsifikojnë e ta përvetësojnë për interesa të tyre të ngushta personale.
Prandaj, përmes këtij reagimi, duam ta sqarojmë opinionin e gjerë, se këta persona nuk janë ata që vepruan, s’janë ata që e përgatitën daljen e UÇK-së në Dobërdelan. Ky është shkaku që na shtyu të reagojmë dhe të indinjohemi për këto veprime të tyre.
Dalja publike e UÇK-së, nuk erdhi rastësisht dhe nuk u arrit brenda ditësh a javësh. Për daljen e UÇK-së, janë dy dekada veprimtari ilegale. Këtu përfshihet organizimi dhe veprimtaria e lidhur me individë, shumë grupe e organizata të tjera ilegale, nëpër rajone të ndryshme të Kosovës. Gjithashtu, në vijimësi, është edhe aktiviteti në kuadër të LPRK-së e të LKÇK-së. Kjo periudhë është mishërim edhe i angazhimit, veprimtarisë, punës e gjakut të dëshmorëve dhe heronjve Bahri Fazliu e Agron Rrahmani. Janë përpjekjet e dhjetëra e dhjetëra veprimtarëve, anëtarëve e simpatizantëve, si dhe burgosja e tyre dhe kontributi e sakrifica e familjeve të tyre, gjatë gjithë kësaj periudhe kaq të gjatë të veprimtarisë.
Prandaj ky monument, duhet ta ketë të evidentuar historinë e tij të vërtetë të veprimtarisë. Duhet të shënohet e të përfshihet angazhimi dhe sakrifica e atyre veprimtarëve, që me punën e tyre të gjatë, organizuan dhe krijuan kushtet për daljen publike të UÇK-së, periudhë së cilës iu kushtua ndërtimi i kësaj kulle. Në të kundërtën, kulla mbetet thjesht një objekt fizik pa kuptimin e saj bazë dhe pa të vërtetën historike që duhet ta ketë.
Abedin Balaj, 10 gusht 2026

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Skënder Demaliaj: RAMAZAN AHMET MUÇA – AGRONOMI I PALODHUR DHE I PËRKUSHTUAR NË SHËRBIM TË BUJQËSISË E TË KOMUNITETIT

Dr. Skënder Demaliaj: RAMAZAN AHMET MUÇA – AGRONOMI I PALODHUR DHE I PËRKUSHTUAR NË SHËRBIM TË BUJQËSISË E TË KOMUNITETIT

Lindi në fshatin Liqe i Kuq, në Krahinën e Hasit, më 23.09.1949. U nda nga …