Majlinda Dhuka i përgjigjet Serbisë për Ibrin: “Lumi rrjedh përpara, po ashtu edhe historia”

Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja e Shqipërisë për negociatat me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, i është përgjigjur ministrit serb për Integrim Evropian, Nemanja Staroviq, pas debatit të krijuar lidhur me idenë për devijimin e lumit Ibër. Dhuka ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë, duke theksuar se rajoni duhet të shikojë përpara dhe të fokusohet në të ardhmen evropiane. “Lumi rrjedh përpara. Po ashtu edhe historia”, ka shkruar Dhuka. Ajo ka kritikuar metaforën e “kështjellës prej rëre” të përdorur nga ministri serb, duke e cilësuar si të mbështetur mbi një interpretim selektiv të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ajo iu referua edhe opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vitin 2010 konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Dhuka ka theksuar gjithashtu se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se synimi i saj është një Evropë e përbashkët ku të përfshihen Shqipëria, Kosova dhe Serbia. “Le t’i lëmë fantazmat e ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe ‘Serbisë së Madhe’ e të shijojmë daljen e tyre të merituar në pension”, ka deklaruar ajo. “Dhe nëse vërtet duam ta ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë evropiane, ekziston një themel ndërtimi dukshëm më i fortë se rëra: REALITETI.”

Kontrolloni gjithashtu

BE-ja reagon ndaj deklaratave për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit: Nuk i shërbejnë normalizimit të raporteve

Bashkimi Evropian ka deklaruar se pretendimet dhe paralajmërimet për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së …