Eprori i lartë i Policisë së Kosovës, Arben Visoqi, njëherësh dhëndër i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka njoftuar se është përjashtuar nga puna pas më shumë se dy dekadash shërbim. Vendimi ka ardhur si rezultat i një procedure disiplinore disa-mujore lidhur me disa nga postimet e tij private në rrjetin social Facebook, të cilat nga komisionet përkatëse u vlerësuan si shkelje e rëndë që i shkakton dëm imazhit të institucionit. Visoqi ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke pretenduar se rasti është iniciuar përmes një ankesë anonime dhe se prapa tij fshihen motive politike e hakmarrje nga zyrtarë brenda Policisë e eksponentë të caktuar. Ai ka theksuar se gjatë punës së tij kishte bërë raporte sinjalizuese për keqpërdorime të mundshme, ndërsa ka njoftuar se do ta kërkojë të drejtën e tij përmes rrugëve ligjore në gjykatë. Përveç kësaj, ai shprehu krenarinë për të kaluarën e tij në shërbim dhe për lidhjet e tij familjare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
