Haxhiu i thërret për presidentin, PDK e AAK refuzojnë, LDK hesht – kriza politike thellohet

Kriza institucionale në Kosovë po thellohet edhe më tej, pasi PDK dhe AAK kanë refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për një takim lidhur me zgjedhjen e presidentit, ndërsa LDK ende nuk e ka bërë publike përgjigjen e saj. Takimi është ftuar për 18 gusht, në orën 09:00, në Zyrën e Presidentes. Haxhiu ka synuar që përmes këtij takimi të hapë diskutimin me partitë politike për tejkalimin e krizës dhe zgjedhjen e presidentit. Por, ftesa është refuzuar nga PDK-ja dhe AAK-ja. Kreu i AAK-së, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takim, duke vënë në pikëpyetje rolin e Haxhiut si ndërmjetësuese mes partive politike. “Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”, ka shkruar Gjini në përgjigjen e tij. Gjini ka akuzuar Haxhiun dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se takimet e tilla nuk synojnë gjetjen e një zgjidhjeje për krizën institucionale, por krijimin e një narrative për fajtorët e situatës aktuale. Edhe PDK-ja e ka refuzuar takimin. Deputeti Uran Ismaili e ka cilësuar ftesën si “manipulim të radhës” nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, në vend të organizimit të takimeve politike, Haxhiu duhet t’i kërkojë ushtruesit të detyrës së kryetarit të Kuvendit, Avni Dehari, që të thërrasë seancën konstituive. Ismaili ka bërë të ditur se grupi parlamentar i PDK-së ka kërkuar që seanca konstituive të vazhdojë më 16 gusht. Në anën tjetër, LDK-ja ende nuk ka dhënë një përgjigje publike për ftesën e Haxhiut. Kjo parti ka deklaruar më herët se nuk do të lidhë marrëveshje politike me Vetëvendosjen, por ka shprehur gatishmërinë për të votuar një kandidat konsensual për president. Ndërkohë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka bërë thirrje për një marrëveshje politike para vazhdimit të punës së Kuvendit, duke paralajmëruar se mungesa e një dakordimi për presidentin mund ta thellojë edhe më shumë krizën institucionale. Në këtë situatë, mbetet e paqartë nëse partitë politike do të arrijnë një marrëveshje përpara afateve kushtetuese apo vendi do të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme.

Kontrolloni gjithashtu

Sahit Muja: Kosova duhet ta shohë energjinë si bazë për zhvillim dhe investime amerikane

Biznesmeni shqiptaro-amerikan Sahit Muja ka folur për mundësitë që Shqipëria dhe Kosova kanë në fushën …