Ibrahim Kelmendi, në përgjigjen ndaj reagimit tim, sjell edhe një herë kujtime, interpretime dhe pohime të tij për ngjarjet e vitit 1982. Por pikërisht përgjigjja e tij e bën edhe më të nevojshëm dallimin ndërmjet kujtesës personale, bisedimeve për bashkim dhe aktit të dokumentuar të bashkimit.
Unë nuk kam arsye ta kontestoj se më 16–17 janar 1982 mund të jenë zhvilluar bisedime mes Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Ibrahim Kelmendit dhe të tjerëve për bashkërendim apo bashkim. Nëse ka dëshmi për to, ato janë pjesë e rëndësishme e historisë dhe duhet të dokumentohen.
Por kjo nuk e zhbën një fakt tjetër:
Ekziston dokumenti i bashkimit të 17 shkurtit 1982. Ekziston akti i 15 majit 1982. Ekziston komunikata publike e bashkimit. Ekziston “Zëri i Kosovës” si organ qendror i organizatës së bashkuar.
Dhe deri më sot nuk është paraqitur një dokument i 17 janarit që i anulon këto akte.
Vetë përgjigjja e Ibrahim Kelmendit ngre pyetje të reja
Ibrahimi shkruan:
“Më 15 maj 1982 jam informuar se kishin ndodhur ‘bashkimet’, nga komunikata që keni lëshuar.”
Dhe më tej:
“Unë ato ‘bashkime’ nuk i kam kundërshtuar…”
Këto dy pohime janë të rëndësishme.
Pra, ai vetë dëshmon se ishte njoftuar për bashkimet dhe se nuk i kishte kundërshtuar ato.
Atëherë pyetja është fare e thjeshtë:
Ku është dokumenti i asaj kohe me të cilin ndonjëra prej organizatave të bashkuara deklaron se bashkimi i 17 shkurtit apo ai i 15 majit nuk vlente, sepse një bashkim tjetër ishte kryer më 17 janar?
Nëse ekziston, le të publikohet.
Organizatat duhet të flasin për veten e tyre
Nuk mund të ndërtojmë historinë duke folur sot, në retrospektivë, në emër të organizatave të tjera.
LNÇKVSHJ, PKMLSHJ dhe OMLK kishin protagonistët, strukturat dhe dokumentet e tyre.
Për më tepër, Faton Topalli, Hasan Mala, Xhafer Durmishi, Osman Osmani, Xhafer Shatri, Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica, protagonistët kyç e procesit të bashkimit të 17 shkurtit dhe 15 majit 1982, janë ende gjallë.
Asnjëra prej organizatave që u bashkuan në Lëvizjen për Republikë nuk më është e njohur të ketë shpallur atëherë se tërhiqej nga bashkimi i 17 shkurtit apo 15 majit për shkak se, sipas saj, bashkimi ishte kryer më 17 janar.
Nëse ekziston një vendim i tillë, le të sillet dokumenti.
Edhe pretendimi për OMLK-në kërkon dokument
Ibrahim Kelmendi e quan Xhafer Shatrin “simulues të përfaqësuesit të OMLK-së” dhe pretendon se OMLK-ja nuk ekzistonte më pas 17 janarit 1982.
Edhe ky është një pretendim që kërkon provë.
Nuk mjafton që, 44 vjet më vonë, dikush të deklarojë se një organizatë nuk ekzistonte dhe, mbi këtë bazë, të zhvlerësojë aktin e nënshkruar në emër të saj.
Nëse OMLK-ja ishte shpërbërë më 17 janar 1982, atëherë duhet të ekzistojë një vendim, komunikatë ose dëshmi organizative përkatëse.
Nëse Xhafer Shatri nuk kishte mandat për bashkimin e 15 majit, duhet të paraqitet dokumentacioni që e dëshmon këtë ose dëshmitë e strukturave kompetente të OMLK-së.
Këto janë çështje që zgjidhen me burime, jo me etiketime.
Për FKP-në – le të flasë FKP-ja dhe dokumentacioni i saj
Ibrahimi ka dhënë vetë versione të caktuara për krijimin dhe veprimtarinë e FKP-së dhe marrëdhënien e saj me OMLK-në. Kjo është një histori që duhet shqyrtuar më vete, mbi bazën e dokumenteve të FKP-së, OMLK-së dhe dëshmive të protagonistëve të tyre.
Por përmes historisë së FKP-së nuk mund të anulohen në retrospektivë aktet e organizatave të tjera.
Askush nuk mund të flasë me autoritet organizativ në emër të LNÇKVSHJ-së, PKMLSHJ-së apo OMLK-së pa treguar se mbi çfarë mandati dhe dokumentacioni mbështetet.
Po kabllogramet?
Ibrahimi përmend edhe dy kabllograme të diplomatit shqiptar Bujar (Kadri) Hoxha dhe i parafrazon ato.
Shumë mirë.
Atëherë pikërisht këtu kemi mundësi ta çojmë debatin një hap përpara:
Le të publikohen kabllogramet integralisht.
Nëse një kabllogram i datës 16 janar 1982 dëshmon se Abdullah Prapashtica i ka dorëzuar konsullit shqiptar një marrëveshje bashkimi të nënshkruar nga ai dhe Sabri Novosella, ky do të ishte një burim shumë i rëndësishëm historik.
Por ai duhet lexuar i plotë: çfarë dokumenti ishte, kur ishte hartuar, cilat organizata përfaqësonin nënshkruesit, çfarë përmbante dhe çfarë raporti kishte me aktin e 17 shkurtit?
Dokumenti nuk duhet parafrazuar kur mund të publikohet dhe analizohet.
E njëjta vlen për çdo kabllogram tjetër.
Një pretendim veçanërisht serioz kërkon një provë veçanërisht serioze
Ibrahimi shkon edhe më tej dhe pohon:
“Për shkak të vrasjeve, ‘bashkimin’ e 16 janarit e kanë heshtur, duke simuluar se ka ndodhur më 17 shkurt 1982, për çka i keni kompiluar ‘dokumentet’…”
Ky nuk është më kujtim personal.
Ky është pretendim se dokumentet e bashkimit të 17 shkurtit janë kompiluar për të simuluar një ngjarje që nuk ka ndodhur atëherë.
Për një pretendim të tillë barra e provës i takon atij që e bën.
Cili dokument e dëshmon?
Cili nga nënshkruesit e aktit të 17 shkurtit ka deklaruar se dokumenti ishte fals, i simuluar apo i datuar rrejshëm?
Cila organizatë e ka kontestuar atë në atë kohë?
Dhe përse komunikata e bashkimit është publikuar si akt i organizatës së bashkuar?
Këto pyetje nuk marrin përgjigje duke i vendosur fjalët “bashkim” dhe “dokumente” në thonjëza.
Edhe konfliktet e mëvonshme nuk e ndryshojnë datën e një akti të mëparshëm
Konfliktet që lindën më vonë, riorganizimet, përjashtimet, ndarjet apo largimet janë pjesë tjetër e historisë së Lëvizjes dhe duhet të dokumentohen po aq seriozisht.
Por një konflikt i vitit 1983 apo 1984 nuk mund ta bëjë të paqenë një dokument të nënshkruar në vitin 1982.
Mund të dëshmojë se bashkimi më vonë u dobësua, u kontestua apo u shpërbë.
Nuk mund ta ndryshojë retrospektivisht datën kur ai u formalizua.
Prandaj kërkesa ime mbetet shumë e thjeshtë
Nuk po kërkoj që askush të besojë versionin tim sepse unë kam qenë pjesëmarrës.
As Ibrahimi nuk duhet të kërkojë që versioni i tij të pranohet vetëm sepse ai ka qenë pjesëmarrës.
T’i vendosim mbi tryezë dokumentet.
Dokumentin e 17 shkurtit 1982.
Dokumentin e 15 majit 1982.
Komunikatën e botuar në “Zëri i Kosovës”.
Dokumentin eventual të bashkimit të 16 apo 17 janarit 1982.
Kabllogramet që përmend Ibrahimi.
Vendimin eventual për shuarjen e OMLK-së.
Mandatet ose kundërshtimet e organizatave përkatëse.
Dhe, përderisa janë ende mes nesh, të dëgjohen edhe protagonistët e drejtpërdrejtë, përfshirë Sabri Novosellën dhe Abdullah Prapashticën, duke i ballafaquar dëshmitë e të gjithëve me dokumentacionin e kohës.
Pastaj le të gjykojnë studiuesit dhe lexuesit.
Historia e Lëvizjes për Republikë nuk është pronë e imja, e Ibrahim Kelmendit apo e cilitdo protagonist tjetër.
Ajo është histori e një përpjekjeje kolektive.
Prandaj nuk kërkon pronarë.
Kërkon dokumente, dëshmi dhe të vërtetën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
