Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se zgjedhjet e ardhshme parlamentare mund të mbahen më 18 ose 25 tetor, ndërsa data përfundimtare pritet të përcaktohet brenda pak ditësh. Sipas Vuçiqit, në garën zgjedhore pritet të marrë pjesë Partia Përparimtare Serbe (SNS), ndërsa partitë dhe grupimet e tjera politike do të garojnë në lista të veçanta. “Zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen, siç qëndrojnë gjërat, ose më 18 ose më 25 tetor. Këtë do ta dimë pas disa ditësh”, deklaroi ai. Vuçiq ka thënë se nuk synon t’u kufizojë partive të tjera të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje. Ai gjithashtu deklaroi se, për shkak të pozitës së tij si president, nuk do ta përdorë funksionin shtetëror për fushatë apo për çështje partiake. Presidenti serb e ka bërë të qartë se objektivi i forcës politike me të cilën është i lidhur mbetet sigurimi i shumicës parlamentare. Sipas tij, për këtë nevojiten të paktën 126 mandate. “Ne e dimë se nuk do të kemi shumicën nëse nuk marrim 126 mandate. Mendoj se këtu gjërat janë krejtësisht të qarta. Zgjedhja u takon njerëzve”, tha Vuçiq. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vijnë në një periudhë të tensionuar politike në Serbi, pas muajsh protestash studentore dhe presioni publik ndaj institucioneve. Vuçiq e kishte paralajmëruar më herët mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në këtë klimë të përshkallëzuar politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
