Anëtari i Aleancës, Daut Haradinaj, ka kritikuar sërish pushtetin lidhur me kontratën për riparimin e vagonëve të trenit nga një kompani serbe, duke e përdorur këtë rast për të ngritur akuza më të gjera për ndikimin e Serbisë në Kosovë. Përmes një reagimi, Haradinaj ka pretenduar se pas çlirimit nuk ka pasur periudhë kur ndikimi i Serbisë në Kosovë të ketë qenë, sipas tij, më i madh se aktualisht. “Që nga çlirimi e deri më sot, asnjëherë më parë nuk kemi qenë më larg Shqipërisë, dhe asnjëherë më parë prania dhe ndikimi i Serbisë nuk kanë qenë më të theksuara brenda Kosovës”, ka shkruar ai. Haradinaj e ka akuzuar pushtetin se po e dëmton sovranitetin ekonomik dhe energjetik të Kosovës dhe se, sipas tij, po vepron në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Ai ka pretenduar gjithashtu se retorika patriotike e pushtetit nuk përputhet me veprimet që, sipas tij, favorizojnë interesat e Serbisë. “Ky regjim në ikje po i ngjason gjithnjë e më shumë një ‘Qeverie Krahinore’ nën hijen e Beogradit, sesa udhëheqjes së një shteti sovran, të pavarur e dinjitoz”, ka deklaruar Haradinaj. Në reagimin e tij, ai ka paralajmëruar edhe përgjegjësi ligjore dhe politike për zyrtarët që, sipas tij, kanë cenuar interesat e shtetit. Haradinaj ka thënë se kjo situatë do të përfundojë së shpejti, ndërsa ka paralajmëruar se përgjegjësit, sipas tij, do të japin llogari “para ligjit dhe para historisë”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
