Sindikata e Re e KEK-ut proteston pas vdekjes së punëtorit: Kërkohet rritja e sigurisë në punë

Sindikata e Re e KEK-ut ka zhvilluar një aksion simbolik para drejtorisë së Korporatës Energjetike të Kosovës në Prishtinë, duke kërkuar rritjen e sigurisë në vendet e punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Aksioni është zhvilluar disa ditë pas vdekjes së një punëtori në KEK. Në shenjë kujtimi dhe proteste, sindikalistët kanë vendosur fotografi të punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës. Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka kërkuar nga institucionet dhe drejtuesit e korporatës që të ndërmarrin masa konkrete për garantimin e sigurisë së punëtorëve. “Prandaj kërkojmë që kjo vdekje të jetë e fundit dhe të mos përsëritet asnjëherë në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe asnjë vend në Kosovë”, ka deklaruar Jashari. Sindikalistët kanë paralajmëruar se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Për nesër është paralajmëruar një protestë solidarizuese në tri divizione të KEK-ut, e cila do të nisë nga ora 08:00. Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Re, Nexhat Llumnica, ka paralajmëruar se aktiviteti do të shtrihet edhe para Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Llumnica ka kritikuar drejtuesit e BSPK-së për, siç tha, mungesë reagimi ndaj rasteve të vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti: UDB-ja kishte interesin kryesor për eliminimin e Jusuf, Kadri dhe Bardhosh Gërvallës

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se UDB-ja jugosllave kishte interesin kryesor për vrasjen …