Në “Kërçevë” u përurua memoriali “Istikamet e UÇK-së”. Duke folur për rëndësinë e këtij vendi, u theksua se ky vend ka një simbolikë të veçantë, sepse ishte një arterie e rëndësishme e logjistikës, prej nga furnizohej Drenica e Dukagjini.
Gjatë fjalës para të pranishmëve, lideri i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj theksoi se 28 vite më parë, Kosova ishte në flakë dhe djemtë e vajzat më të mira të kombit, ndonëse të papërvojë e të paarmatosur si duhet, përballeshin me një ofensivë të fuqishme të forcave serbe.
Ndonëse në këtë datë, më 25 gusht të vitit 1998, edhe pse kishim humbje të mëdha të eprorëve të shquar, sikur ishte komandant Ismet Jashari dhe shumë ushtarë të tjerë, ishim bashkëluftëtarë të shumtë të tyre, që sot janë këtu mes nesh, që u betuan se pa kaluar nëpër trupat e tyre, forcat serbe nuk do të depërtojnë te popullata civile.
Dhe falë luftës së tyre dhe rezistencës titanike, popullata e kësaj ane nuk panë asnjëherë fytyrat e kriminelëve serbë dhe ky vend, ky memorial që po promovojmë sot, na kujton atë luftë të lavdishme.
Le të mos harrojmë dhe ta mbani kokën lart, se lirinë e fituam me shumë djersë e gjak.
Imri Ahmeti: Rrugët e Kodrës së Kërçevës ishin arterie për furnizimin e zonave të luftës
Rrugët e Kodrës së Kërçevës kanë qenë arterie për furnizimin e zonave të luftës.
Ky memorial që po promovojmë sot nuk është vetëm përurim i tri shkronjave të Ushtrisë sonë të lavdishme, por është edhe përkujtim dhe ndërtim i veprave që na e mbajnë përherë në kujtesë historinë tonë.
Ky memorial le të na kujtojë përherë edhe luftën e djemve dhe vajzave tona, që në momentet më kritike ditën ku të rreshtohen – në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Le të uroj që më 16 shtator, drejtuesit e saj të na lirohen nga Haga dhe t’i kemi mes nesh, këtu ku e kanë vendin!
Shukri Buja: Ky monument i jep dritë tri shkronjave të arta tona të lavdisë
Shumë vite më parë, në këtë vend po promovojmë tani këtë monument, po hapnim istikamet për mbrojtjen e kompleksit Blinaje, të cilin e kishim marrë nën kontroll!
Të kujtojmë se, për të parë këtë vijë frontale dhe pozicionet përballë forcave të shumta serbe, ne kishim për vizitë drejtorin e Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi.
Ne ishim të vetëdijshëm se ushtarët e UÇK-së ishin të rinj, të papërvojë e me armatim të mangët, por kjo nuk ishte pengesë për t’u përballur me një ushtri shumë më të madhe në numër, me përvojë të madhe e armatim të fuqishëm.
Ndonëse gjatë ofensivës së verës së vitit 1998 ne përballeshim me një ofensivë të fuqishme e shumëanshme, falë luftës dhe rezistencës stoike të ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së, popullata u shpëtua nga vrasjet masive.
Urime këtë monument kushtuar këtyre djemve e vajzave tona më të mira, të rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
