Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se vazhdimi i mandatit presidencial të Hashim Thaçit pas kthimit nga Haga do të ishte, sipas tij, gjëja më e natyrshme. Limaj tha se mandati i Thaçit ishte ndërprerë në nëntor të vitit 2020, kur ai dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës dhe u nis drejt Hagës për t’iu përgjigjur procesit gjyqësor.
“Është president i Kosovës. Në mënyrë të padrejtë iu ka prerë mandati. Presidentit të Republikës së Kosovës iu ka ndërprerë mandati, i detyrueshëm, për t’iu përgjigjur një ftese. Kështu që, ajo çka po flasim është gjëja më e natyrshme, vazhdimi aty ku e ka lënë. E rëndësishme të na kthehen në Kosovë, pastaj të gjitha bëhen”, deklaroi Limaj për KosovaPress.
Thaçi e ushtroi detyrën e presidentit nga 7 prilli 2016 deri më 5 nëntor 2020, kur dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara. Ndërkohë, në Kosovë është hapur së fundmi debati politik për mundësinë e rikthimit të tij në postin e presidentit pas përfundimit të procesit në Hagë. Edhe deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do të ishte nder që Thaçit t’i vazhdohej mandati.
Vendimi në gjykimin kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pritet të shpallet më 16 shtator 2026.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
