Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka ashpërsuar kritikat ndaj Qeverisë në detyrë për politikat në sektorin e energjisë, duke e lidhur themelimin e Korporatës së Ruajtjes së Energjisë me mungesën e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë dhe rritjen e importeve elektrike. Bajrami ka rikujtuar se Qeveria e kishte themeluar më 13 mars 2024 Korporatën e Ruajtjes së Energjisë, me synim menaxhimin e kapaciteteve të ruajtjes së energjisë, por sipas saj, më shumë se dy vjet pas këtij vendimi, këto kapacitete ende nuk janë funksionale. Ndërkohë, ajo pretendon se Kosova gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar mbi 538 milionë euro për importin e energjisë elektrike. Sipas shifrave të publikuara nga Bajrami, importi i energjisë ka arritur në 142 milionë euro gjatë vitit 2024, 259 milionë euro në vitin 2025, ndërsa vetëm nga janari deri në gusht të vitit 2026 janë shpenzuar edhe 137 milionë euro. Kritikat e saj janë përqendruar edhe te vendimi i fundit i Qeverisë në detyrë për caktimin e kompensimit mujor për anëtarët e Bordit të KRE-së. Bajrami ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e marrjes së këtij vendimi, duke pretenduar se ai është miratuar përmes një mbledhjeje elektronike të zhvilluar gjatë orëve të natës. “Kapacitete për ruajtje të energjisë nuk ka, ndërmarrje ka, kompensime për Bordin u caktua, e importi ka arritur në 538 milionë euro”, ka shkruar ajo.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
