Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka deklaruar se zhvillimi i procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë e ka sjellë vendin në një situatë që, sipas tij, nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të vinte. Ramosaj tha se nuk kishte menduar se një ditë do të duhej të dilte publikisht në protestë për të shprehur mbështetjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se këtë e sheh si një zhvillim të pazakontë dhe të dhimbshëm për shoqërinë kosovare. “Nuk kisha pasur qejf me ardh në këtë situatë ku ne dalim në protestë në muajin shtator. Nuk e kisha imagjinu, nuk e kam pa ëndërr ndonjëherë që unë si Bashkim po flas tash si person fizik e që në këtë rast jam edhe kryetar komune, e kam një autoritet edhe një subjektivitet edhe publik, nuk e kisha imagjinuar veten ndonjëherë që dal në protesta për tema të tilla”, deklaroi Ramosaj. Ai u shpreh i vendosur që të jetë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke i cilësuar ata si figura përfaqësuese të luftës çlirimtare dhe të rezistencës që, sipas tij, i parapriu lirisë së Kosovës. “Sa i përket krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krejt çka është e nevojshme, krejt çka kërkohet prej meje, unë kam me qenë në funksion të tyre, për shkak se mendoj që janë modeli më i mirë i luftëtarëve, i prijësve të një rezistence që e ka sjellë lirinë e vendit”, shtoi ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
