Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka bërë të qartë se PDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë dhe nuk do t’i bashkohet dialogut politik për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke shprehur mosbesim ndaj përpjekjeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të arritur një marrëveshje mes partive. Në një konferencë për media, Gruda tha se qëndrimi i PDK-së është tashmë i përcaktuar dhe nuk do të ndryshojë pavarësisht zhvillimeve dhe takimeve që mund të zhvillojnë subjektet e tjera politike. Sipas tij, partia nuk dëshiron të bëhet pjesë e një procesi që e cilësoi si “teatër politik”, pasi beson se përfshirja në të nuk do të kontribuonte në zgjidhjen e krizës institucionale. “Ne jemi deklaruar që jemi parti në opozitë, prandaj nuk jemi pjesë e dialogut për të zgjedhur një president. Ne jemi parti opozitare, ky qëndrim i yni mbetet kështu, nuk ndryshon”, deklaroi Gruda, duke shtuar se ky pozicion është përcaktuar edhe pas takimit që përfaqësuesit e PDK-së kanë zhvilluar me Kurtin. Ai u shpreh veçanërisht kritik ndaj kryeministrit në detyrë, duke thënë se PDK-ja nuk e sheh vullnetin e nevojshëm politik për arritjen e një marrëveshjeje. “Unë nuk i besoj Albin Kurtit në përpjekjet që po bën. Unë nuk i besoj. Partia Demokratike e Kosovës nuk beson në vullnetin e mirë të zotit Kurtit për të arritur një marrëveshje politike”, tha Gruda. PDK-ja do të qëndrojë në opozitë dhe nuk do të marrë pjesë në procesin politik për zgjedhjen e presidentit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
