LVV dhe LDK dakordohen për Bekim Sejdiun si kandidat për president

Pas një periudhe të gjatë përplasjesh dhe negociatash politike, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për emrin që do të propozohet për postin e presidentit të Republikës së Kosovës. Kandidat konsensual është përzgjedhur Profesor Doktor Bekim Sejdiu, emër për të cilin janë pajtuar kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit të zhvilluar sot në Kuvend. Abdixhiku bëri të ditur se marrëveshja është rezultat i takimeve dhe diskutimeve të gjata ndërmjet dy subjekteve politike, të zhvilluara me synimin për të gjetur një figurë që do të mund të siguronte mbështetje të gjerë politike dhe të përfaqësonte, sipas tij, vlera profesionale, demokratike dhe shtetërore. “Gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu”, deklaroi Abdixhiku. Ai e cilësoi Sejdiun si një figurë me përvojë të gjerë profesionale dhe me një karrierë të gjatë në institucione dhe fusha të rëndësishme publike. Marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së vjen në një kohë kur Kosova përballet me ngërç institucional, ndërsa dakordimi për kandidatin për president pritet të krijojë mundësi për vazhdimin e procedurave parlamentare dhe përpjekjet për tejkalimin e krizës politike.

Kontrolloni gjithashtu

27 vjet pritje për Idriz Rrecajn: Shpresa e familjes mes varrezës masive dhe frikës nga e vërteta

Për 27 vjet, familja e Idriz Rrecajt ka jetuar me dhimbjen dhe pasigurinë e mungesës …