Mbi 220 persona kanë kërkuar të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit më 16 shtator, kur Gjykata Speciale pritet të shpallë aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Megjithatë, vetëm 80 persona do të mund ta ndjekin vendimin nga galeria e publikut. Sipas Dhomave të Specializuara, 40 ulëse janë rezervuar për familjarët e ngushtë, ndërsa 40 përfaqësues të mediave, prej tyre 17 ndërkombëtare, 16 nga Kosova, 4 nga Shqipëria dhe 3 nga Serbia. Të gjithë të tjerët do ta ndjekin aktgjykimin përmes transmetimit zyrtar të Gjykatës. Në Kosovë, ndërkohë, pritjet për aktgjykimin mbeten kryesisht optimiste. Avokati Skender Musa ka deklaruar se pret vendim lirues, duke theksuar se, sipas tij, nëse procesi nuk ndikohet politikisht, 16 shtatori mund të jetë ditë feste për Kosovën. Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së pret lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe përfundimin e procesit me rrëzimin e akuzave, të cilat i konsideron të montuara. Ndërsa afrohet dita e aktgjykimit, në Kosovë kanë nisur edhe përgatitjet për pritjen e mundshme të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Në Prishtinë është paralajmëruar marshimi mbështetës me moton “Kosova po pret”, ndërsa 16 shtatori pritet të jetë një nga datat më të rëndësishme për Kosovën dhe ish-krerët e UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
