Rreth 260 mijë nxënës kanë nisur sot vitin e ri shkollor në Kosovë, por për mësimdhënësit fillimi nuk ka qenë pa probleme. Në disa shkolla mungojnë ditarët pedagogjikë, dokumentacion bazë për evidentimin dhe planifikimin e procesit mësimor. Haki Duli, ushtrues detyre i drejtorit të gjimnazit “Ahmet Gashi”, tha se shkolla i kishte përfunduar me kohë përgatitjet për organizimin e mësimit, por furnizimi me ditarë ende nuk ishte bërë. Ndërkohë, drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani, tha se rreth 80 për qind e nxënësve janë pajisur me tekste shkollore dhe se përgatitjet pedagogjike janë përfunduar sipas planifikimit. Për vonesën e furnizimit me ditarë, MAShTI ka fajësuar operatorin ekonomik, duke thënë se procedurat nga ministria dhe komunat janë përmbushur në kohë. Sipas dikasterit, operatori i ri, i cili kishte ofruar çmimin më të ulët, ka raportuar probleme operative dhe ka premtuar që furnizimi të përfundojë së shpejti. Megjithatë, nisja e vitit shkollor me mungesa në materiale bazë rikthen kritikat për planifikimin dhe mbikëqyrjen e furnizimeve nga institucionet përgjegjëse. Krahas kësaj, edhe tekstet shkollore vazhdojnë të jenë pjesë e sfidave të fillimit të vitit, ndërsa prindërit mbështeten në subvencionimin përmes platformës e-Kosova. Në Prishtinë, ky 1 shtator sjell edhe një risi: mësimi tërë ditor ka nisur eksperimentalisht në katër shkolla. Projekti synon përmirësimin e cilësisë në arsim, por mbetet për t’u parë nëse infrastruktura dhe kapacitetet ekzistuese janë të mjaftueshme për zbatimin e tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
