Blerim Isufaj njofton për aktakuzën e parë për vrasjen e civilëve të familjes Jashari në Prekaz

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka njoftuar sot për dorëzimin e aktakuzës lidhur me krimet e luftës të kryera në lagjen e Jasharajve në Prekaz të Skenderajt. Në konferencën për media, Isufaj e ka cilësuar aktakuzën si një zhvillim të rëndësishëm për drejtësinë në Kosovë, duke theksuar se për herë të parë është ngritur një aktakuzë që lidhet drejtpërdrejt me vrasjen e civilëve të familjes Jashari. Sipas tij, aktakuza është përgatitur pas një pune të gjatë hetimore dhe është bazuar në prova të mbledhura nga prokurorët e rastit. Isufaj ka thënë se tashmë vlerësimi i aktakuzës dhe provave i takon gjykatës, ndërsa ka shprehur bindjen se Prokuroria Speciale ka vepruar me kujdes dhe në përputhje me standardet ligjore. Kryeprokurori është pyetur edhe për hetime të tjera që janë në zhvillim, përfshirë rastin e krimeve të luftës në Zubin Potok dhe hetimet për spiunazh. Ai ka theksuar se për këto raste nuk mund të japë detaje për shkak të natyrës së hetimeve. Isufaj ka bërë të ditur se gjatë javëve të fundit është dorëzuar edhe një aktakuzë për spiunazh dhe është arrestuar një person i dyshuar për këtë vepër penale. Në konferencë, ai ka vlerësuar edhe bashkëpunimin e Prokurorisë Speciale me partnerët ndërkombëtarë të drejtësisë dhe sigurisë, duke përmendur Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Europolin dhe Eurojust-in.

Kontrolloni gjithashtu

Robertson alarmon Kosovën: Paraliza politike po u shërben armiqve, duhet pranuar verdikti i Hagës

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, ka ngritur shqetësime të forta për krizën …