Gllogjani është bërë të dielën një tjetër pikë e mobilizimit publik në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Në kompleksin memorial të dëshmorëve të kombit është ndezur “Zjarri i Lirisë”, në një aktivitet që mblodhi veteranë, ish-pjesëtarë të UÇK-së, familje të dëshmorëve, invalidë të luftës, bashkëluftëtarë dhe qytetarë, me mesazhin e mbështetjes për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Aktiviteti në Gllogjan vjen në kuadër të një serie organizimesh që po zhvillohen në zona të ndryshme të Kosovës ku ka vepruar UÇK-ja. Pas Likocit dhe aktiviteteve në zona të tjera, ndezja e flakadanëve në Dukagjin synon të shprehë vazhdimësinë e mbështetjes publike për ish-krerët e UÇK-së, të cilët prej vitesh ndodhen në proces gjyqësor në Hagë. Para aktivitetit, ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj, kishte ftuar qytetarët të merrnin pjesë në Gllogjan, duke e lidhur ngjarjen me pritjen e datës 16 shtator. Nga organizatorët dhe pjesëmarrësit u përcoll mesazhi se sakrifica e luftës nuk duhet të harrohet dhe se ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë nuk janë të vetmuar. Shprehja “Çlirimtarët nuk janë vetëm” është kthyer në një prej mesazheve kryesore të këtyre aktiviteteve, duke synuar të krijojë një lidhje simbolike mes vendeve ku është zhvilluar lufta dhe katër ish-krerëve që presin vendimin e gjykatës. Por ndezja e flakadanëve po ndodh në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm. Në këtë kuadër, Gllogjani nuk ishte vetëm një vend ku u ndez një flakadan. Aktiviteti shërbeu si sinjal se, dhjetë ditë para verdiktit, një pjesë e madhe e komunitetit të veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve dëshiron ta mbajë të gjallë kujtesën e luftës dhe të shprehë publikisht mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
