Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka paralajmëruar për mundësinë e destabilizimit të vendit pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke pretenduar se Serbia tashmë e ka të përgatitur një skenar për të shfrytëzuar zhvillimet e 16 shtatorit. Duke komentuar situatën në prag të vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, Abazi ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se Qeveria duhet të kishte një plan të qartë për përballimin e situatës dhe mbrojtjen e institucioneve të Kosovës. “Serbia e ka skenarin e tentim-destabilizimit të Kosovës. Ndërsa Kurti, në vend se të jetë i paraqitur para publikut me planin për ta mbrojtur Republikën, për t’i mbrojtur edhe njerëzit në Hagë, për ta mbrojtur edhe kushtetutshmërinë, kushtetutshmërinë që dy vjet e ka eliminuar komplet, sot po vazhdojmë të jemi jashtë kontekstit kushtetues duke vepruar”, ka deklaruar Abazi në Klan Kosova. Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë, ndërsa zhvillimet rreth kësaj date pritet të jenë në qendër të vëmendjes politike dhe publike në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
