Profesori dhe analisti politik, Valon Murati, ka kritikuar mënyrën se si Serbia po e trajton figurën e Ratko Mlladiqit, të dënuar për gjenocid në Srebrenicë, duke thënë se nderimi i tij dëshmon mungesën e një përballjeje të sinqertë të Beogradit me të kaluarën e luftërave në ish-Jugosllavi. Sipas Muratit, edhe pas ndryshimeve politike të vitit 2000, Serbia nuk është distancuar qartë nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, ndërsa kjo ka krijuar hapësirë për rehabilitimin e kriminelëve të luftës dhe relativizimin e përgjegjësisë së shtetit serb. Ai ka kritikuar edhe Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se fokusimi vetëm te pretendimet për krime të pjesëtarëve të UÇK-së, ndërkohë që shumë krime të forcave serbe në Kosovë mbeten të patrajtuara, sipas tij, ka krijuar një pabarazi në trajtimin e së kaluarës. Murati vlerëson se rehabilitimi i figurave si Mlladiqi vazhdon të ndikojë në mënyrën se si shoqëria serbe përballet me krimet e luftës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
