Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me një mesazh të ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe përplasjeve brenda partisë, duke lënë të kuptohet se, sipas tij, pas këtyre zhvillimeve qëndrojnë ambicie për udhëheqjen e LDK-së. Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shprehur keqardhje për atë që e konsideron zhvendosje të vëmendjes nga parimet dhe interesi i Kosovës drejt garës së brendshme partiake. “S’rrotullohet shteti për një ambicie”, ka shkruar Abdixhiku në nisje të reagimit të tij, duke thënë se fillimisht kishte menduar se përplasjet politike kishin të bënin me parime dhe me Kosovën, por se tash, sipas tij, beteja lidhet me ambiciet për postin e kryetarit të LDK-së. “Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, ka shkruar ai, duke e lidhur këtë situatë me traditën politike që, sipas tij, e ka karakterizuar LDK-në në të kaluarën. Abdixhiku ka thënë se kjo parti është njohur për një tjetër qasje, duke iu referuar figurave të saj të mëhershme politike dhe angazhimit të tyre për shtetin. “LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete”, ka deklaruar Abdixhiku, ndërsa në fund të reagimit ka përdorur një gjuhë edhe më kritike ndaj atyre që i ka adresuar. “Zot, fali, kaq dinë; se populli s’ka për t’i falur!”, ka përfunduar Abdixhiku reagimin e tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
