Avdullah Hoti kërkon “Konventë të madhe” në LDK: Duhet pajtim dhe bashkim brenda partisë

Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar organizimin e një “Konvente të madhe” të kësaj partie, përmes së cilës, sipas tij, do të duhej të arrihej një pajtim i brendshëm dhe të qartësohej drejtimi politik i LDK-së për periudhën e ardhshme. Hoti këtë kërkesë e ka bërë përmes një postimi në Facebook, ku ka vlerësuar se në Konventë duhet të përfshihen të gjitha strukturat e partisë dhe i gjithë potenciali i saj politik e organizativ. Ai ka renditur Kuvendin Qendror, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin Parlamentar, kryetarët dhe kryesitë e degëve, anëtarët e LDK-së në kuvendet komunale, si dhe Forumin e Gruas dhe Forumin Rinor si pjesë të strukturave që duhet të jenë të përfaqësuara në këtë proces. Sipas Hotit, Konventa nuk duhet të jetë vetëm një mbledhje e zakonshme partiake, por një moment për një “bashkim të madh” dhe për një fillim të ri politik për LDK-në. Në postimin e tij, Hoti ka thënë se Konventa duhet të përcaktojë edhe ekipin që do ta udhëheqë partinë në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa theks të veçantë i ka kushtuar nevojës për rikthimin e besimit brenda strukturave të LDK-së. Sipas tij, ky besim është i domosdoshëm për krijimin e unitetit dhe punës ekipore, të cilat i konsideron të nevojshme për arritjen e një rezultati të mirë elektoral. “LDK-ja ka nevojë urgjente për një KONVENTË të madhe, për një PAJTIM të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara”, ka shkruar Hoti, duke bërë të ditur se ai vetë do të angazhohet për organizimin e kësaj Konvente. Ai ka theksuar se një LDK e bashkuar është e nevojshme për rikthimin e besimit të qytetarëve, ndërsa mesazhin e tij e ka përmbyllur me fjalët: “PAJTIM – BASHKIM – BESIM – FITORE”.

Kontrolloni gjithashtu

Ehat Miftaraj: Ndërrimi i personit nuk e rinis afatin gjashtëmujor për ushtruesin e detyrës së presidentit

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se kufizimi kushtetues …