Rikthimi i mundshëm i Hashim Thaçit në Kosovë pas përfundimit të procesit gjyqësor në Hagë mund të ketë pasoja të rëndësishme në skenën politike të vendit, vlerëson avokati Asdren Bytyqi. Sipas tij, Thaçi mbetet një prej figurave që mund të ndikojë në riformatimin e skenës politike dhe të krijojë një kundërpeshë ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Duke folur për “Klan Kosova”, Bytyqi ka thënë se një pritje e madhe që mund t’i bëhet Thaçit pas një vendimi eventual lirues do të mund të ndikonte në llogaritjet e forcave politike dhe në raportet e tyre me elektoratin. Ai ka vlerësuar se përvoja politike, figura e ish-presidentit dhe lidhja e tij me luftën e UÇK-së mund t’i japin Thaçit kapacitet për të mobilizuar një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik. “E vetmja figurë e cila mund të bashkojë, mobilizojë dhe rifreskojë skenën politike, dhe mund ta sfidojë deri në një masë Albin Kurtin, është z. Thaçi”, ka deklaruar Bytyqi. Komentet e tij vijnë në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, në një periudhë kur skena politike në Kosovë po përballet me zhvillime dhe pasiguri të shumta.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
