Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka ngritur shqetësimin për rezultatet e dobëta të nxënësve të Kosovës në testin ndërkombëtar PISA, duke kërkuar që rënia e vazhdueshme e performancës në arsim të trajtohet me masa konkrete dhe urgjente. Përmes një reagimi në Facebook, Jashari ka theksuar se krahasuar me vitin 2015, është rritur ndjeshëm përqindja e nxënësve që nuk arrijnë nivelin bazë të aftësive, me 7 pikë përqindjeje në matematikë, 7 në lexim dhe 11 në shkencë. Sipas saj, këto të dhëna janë alarmuese dhe tregojnë se një pjesë e nxënësve po përfundojnë vite të tëra shkollimi pa përfituar njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për jetën. Jashari, e cila është edhe mësimdhënëse, ka thënë se kjo situatë nuk duhet të pranohet si një realitet me të cilin shoqëria duhet të pajtohet, duke vlerësuar se nxënësit kanë potencial, por institucionet duhet të krijojnë kushtet për zhvillimin e tij. Ajo i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit të prezantojë masa konkrete, afate dhe përgjegjësi të qarta, në bashkëpunim me komunat, mësimdhënësit dhe prindërit, me synim përmirësimin e rezultateve në klasa. Sipas Jasharit, çdo vonesë në ndërhyrjen ndaj problemeve të sistemit arsimor rrezikon mundësitë e një brezi të tërë, ndërsa ka bërë thirrje që veprimi të nisë menjëherë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
