Dejona Mihali kritikon PDK-në dhe LDK-në për votat në Kryesinë e Kuvendit

Dejona Mihali nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për ngërçin rreth konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja, duke kritikuar qëndrimet e PDK-së dhe LDK-së për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Përmes një postimi në Facebook, Mihali ka ngritur pyetjen se pse deputetët e shumicës duhet të sigurojnë votat për kandidatët e këtyre dy partive për Kryesinë e Kuvendit, ndërsa ato, sipas saj, nuk japin gatishmëri për një marrëveshje që do t’i hapte rrugë funksionalizimit të institucioneve. Ajo ka përmendur në veçanti qëndrimin e PDK-së për të mos marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit, ndërsa kritikë të ngjashme ka adresuar edhe ndaj LDK-së lidhur me kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit. “Nuk mund të kërkosh votat e shumicës për t’u ulur në Kryesinë e Kuvendit dhe, sapo ta marrësh pozitën, ta përdorësh mungesën nga salla për ta pamundësuar zgjedhjen e Presidentit dhe për ta çuar vendin përsëri në zgjedhje”, ka shkruar Mihali. Sipas saj, nëse PDK-ja dhe LDK-ja kërkojnë mbështetje për postet e tyre në Kuvend, atëherë duhet të ketë edhe dakordim për funksionimin e institucioneve në tërësi. “Nuk mund të ketë marrëveshje vetëm për postet e tyre dhe bllokadë për institucionet e Republikës”, ka përfunduar ajo.

Kontrolloni gjithashtu

Dështon zgjedhja e nënkryetarëve, Haxhiu shtyn seancën e Kuvendit për të premten

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të përmbyllë formimin e Kryesisë së …