Pandeli Majko

Pandeli Majko: Vendimi i Hagës nuk duhet të kthehet në armë kundër Perëndimit

Ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, ka reaguar për vendimin që pritet të shpallet më 16 shtator ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke thënë se rezultati i procesit në Hagë nuk duhet të përdoret për të nxitur përçarje mes shqiptarëve dhe Perëndimit. Majko ka paralajmëruar se një vendim negativ mund të shfrytëzohet për të nxitur pakënaqësi te shqiptarët dhe për ta paraqitur Kosovën si faktor antiperëndimor. Sipas tij, Beogradi dhe qarqe të tjera antishqiptare mund të përpiqen ta manipulojnë reagimin ndaj vendimit, duke e lidhur atë me qëndrimin e Perëndimit ndaj shqiptarëve. Ai ka theksuar se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi nuk do të pranonin që emri i UÇK-së, sakrificat e luftës dhe emrat e tyre të përdoreshin si “armë kundër Perëndimit”. Majko ka vlerësuar se Kosova mund të përballet me një përpjekje të gjerë manipulimi pas vendimit të gjykatës dhe ka rikujtuar rëndësinë e marrëdhënieve të shqiptarëve me Perëndimin. Duke iu referuar deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për drejtësinë ndërkombëtare, ai ka thënë se Beogradi po përpiqet ta lidhë vendimin e Hagës me qëndrimin e Perëndimit ndaj Serbisë dhe shqiptarëve. Në fund, Majko ka përcjellë një mesazh të prerë lidhur me luftën dhe lirinë, duke thënë: “Liria e një populli nuk gjykohet!”

Kontrolloni gjithashtu

Dështon zgjedhja e nënkryetarëve, Haxhiu shtyn seancën e Kuvendit për të premten

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të përmbyllë formimin e Kryesisë së …