Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rikthimi i Kosovës në zgjedhje është një skenar i përgatitur më herët nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërsa zhvillimet politike të muajve të fundit, sipas tij, kanë shërbyer për shtyrjen e procesit deri në një datë që i përshtatet Kurtit. Haradinaj tha se votat për shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje kanë ekzistuar që nga 9 korriku, por se mazhoranca nuk e ka përmbyllur atëherë procesin, duke lejuar zvarritjen e tij gjatë gushtit dhe shtatorit. Ai tha se në këtë mënyrë janë konsumuar afatet ligjore dhe se tashmë vendimi për situatën e krijuar pritet të adresohet nga Gjykata Kushtetuese. Haradinaj akuzoi Kurtin se vetë e ka bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit, ndonëse, sipas tij, mazhoranca kishte më shumë se 60 vota, ndërsa tha se ftesat për takime politike kanë qenë vetëm “mbulesë”, pasi Kurti, sipas tij, e kishte marrë vendimin për zgjedhje. “Po ndodh që data me u zgjedh prej Albulenës, data që i konvenon Kurtit. Kjo është bardhë e zi, të gjitha tjerat janë mbulesë”, deklaroi Haradinaj, duke paralajmëruar se vendimet e tilla politike do të kenë pasoja të mëdha si për Kosovën, ashtu edhe për vetë Kurtin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
