Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të vlerësojë seriozisht nëse Serbia është ende e sinqertë në rrugën e saj drejt anëtarësimit, pas ceremonisë shtetërore për varrimin e Ratko Mlladiqit në Beograd. Në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Kos e ka cilësuar Serbinë si një vend në “pikë kthese”, duke theksuar se procesi i integrimit evropian kërkon përballje me të kaluarën, pajtim dhe respektim të sundimit të ligjit. Ajo ka bërë të ditur se çështjen fillimisht do ta diskutojë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa raporti për gatishmërinë e BE-së për zgjerim pritet të përfundojë në fund të shtatorit dhe të shërbejë si bazë për diskutime në Këshillin e BE-së. Kos ka thënë se dëshiron që Serbia të mbetet në rrugën evropiane, por ka theksuar se kjo varet edhe nga qytetarët dhe politika serbe. Duke folur për anulimin e vizitës së saj në Beograd, ajo ka kritikuar glorifikimin e Mlladiqit, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera të luftës. “Si mund të kremtohet dikush që është dënuar si kriminel lufte?”, ka deklaruar Kos, duke shtuar se nuk do të mund t’i shikonte më në sy nënat e Srebrenicës nëse do të kishte marrë pjesë në një vizitë zyrtare në atë kohë. Komisionerja ka theksuar se përballja me të kaluarën mbetet një prej sfidave kryesore për Ballkanin Perëndimor dhe ka bërë thirrje që elitat politike të mos i rihapin plagët e luftërave të kaluara. Kos ka folur edhe për qasjen e re të BE-së ndaj zgjerimit, duke mbështetur një integrim gradual të vendeve kandidate në sektorë strategjikë, ndërsa ka paralajmëruar se Unioni duhet të krijojë mekanizma që garantojnë respektimin afatgjatë të vlerave dhe rregullave evropiane nga anëtarët e rinj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
