Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme historike dhe se vendi ka nevojë për institucione funksionale për t’u përballur me sfidat që e presin. Ajo ka theksuar se në këtë situatë politike përgjegjësia kryesore është funksionalizimi i institucioneve dhe tejkalimi i ngërçit që po e mban Kuvendin të pakonstituuar. Lushaku-Sadriu ka kritikuar veçanërisht zvarritjen e procesit të zgjedhjes së nënkryetarëve, duke e cilësuar si situatë të paprecedentë faktin që propozimet e partive politike nuk po marrin përkrahjen e nevojshme. Ajo ka thënë se Kosova është jashtë afateve kushtetuese dhe se në një periudhë të tillë vendi nuk mund të mbetet pa institucione funksionale. “Kosova ndodhet në një periudhë historike, vendi duhet të ketë institucione”, është shprehur Lushaku-Sadriu, duke kërkuar që procesi institucional të ecë përpara dhe të gjendet një zgjidhje për krizën aktuale politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
