Dr. Flora Brovina ndahet nga jeta – sot mungon një dorë që shëroi, ndihmoi dhe qëndroi pranë njerëzve

Një lajm i rëndë tronditi sot shumë njerëz që patën fatin ta njohin nga afër doktoreshën Florë, një grua e rrallë, e cila gjatë jetës së saj u gjend pranë njerëzve në momentet më të vështira, duke u dhënë kujdes, shërim, mbështetje dhe mbi të gjitha, njerëzi.

Ky është një lajm i rëndë për të gjithë ata që dikur trokitën në derën e saj dhe gjetën një dorë të zgjatur për ndihmë; për ata që i mjekoi, i shëroi dhe u qëndroi pranë me përkushtim e dashamirësi.

 Është një lajm i rëndë për shumë atdhetarë që e patën krah një personalitet të rrallë, një grua që nuk u tërhoq përballë vështirësive dhe që diti të ishte pranë njerëzve atëherë kur nevoja për mbështetje ishte më e madhe.

Sot dhimbja është edhe më e madhe për Çlirimtarët që, vetëm pak orë na ndajnë nga verdikti final, për katër ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë. Në një ditë të mbushur me pritje, shpresë dhe emocione të forta për Kosovën dhe për të gjithë ata që e kanë përjetuar luftën, kjo shkuarje në amshim e doktoreshës Florë  e bën edhe më të rëndë peshën e kësaj dite.

Ndarja e dhimbshme nga jeta e doktoreshës Florë është e dhimbshme edhe për komunitetin kulturor e artistik, ku ajo la gjurmë me praninë, përkushtimin dhe vlerat e saj njerëzore.

Për secilin prej nesh që patëm fatin ta njohim, ta takojmë dhe ta përjetojmë mirësinë e saj, sot mbetet dhimbja e madhe, por edhe mirënjohja për një grua me virtyte të shumta, e cila në çdo çast të jetës dëshmoi dinjitet, humanizëm, përkushtim dhe dashuri për njerëzit.

Sot, në këtë ditë të rëndë, kujtimi për doktoreshën Florë mbetet i gjallë te të gjithë ata që ajo i preku me punën, fjalën, kujdesin dhe zemrën e saj.

U prehtë në paqe dhe u përjetësoftë kujtimi për ty doktoresh Flora Brovina!

Kontrolloni gjithashtu

Rrustem Mustafa i bën thirrje Kurtit: Çelësi për zhbllokimin e vendit është në duart e tua

Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka propozuar një platformë politike për zhbllokimin institucional të Kosovës, …