Komuna e Vitisë dhe DHTIK zhvillojnë takim me komunitetin e biznesit

Komuna e Vitisë, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK), ka organizuar takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit, me qëllim të diskutimit të sfidave, nevojave dhe mundësive për zhvillimin e sektorit privat.

Në takim mori pjesë Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit.

“Komuna e Vitisë mbetet e përkushtuar të jetë partner i bizneseve dhe të punojë së bashku me ta për krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillim ekonomik, investime dhe hapjen e vendeve të reja të punës.” – tha Kryetari Sokol Haliti.

Në emër të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, të pranishmëve iu drejtua Skender Krasniqi, Kryetar i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, i cili theksoi rëndësinë e takimeve të drejtpërdrejta me bizneset nëpër komunat e Kosovës.

Gjatë takimit, bizneset vitiase paraqitën shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballen, ndër të cilat u veçuan mungesa e linjës së energjisë elektrike në Zonën Industriale në Budrikë, si dhe ndërprerjet e planifikuara të furnizimit me energji elektrike gjatë ditëve të punës, të cilat ndikojnë në funksionimin e rregullt të bizneseve.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të dialogut ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit, si dhe adresimit të çështjeve konkrete që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Komunës së Vitisë.

Kontrolloni gjithashtu

Malisheva intensifikon fushatën kundër trafikimit me qenie njerëzore, vetëdijesohen edhe nxënësit

Komuna e Malishevës po vazhdon angazhimin për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore, përmes aktiviteteve …