Albert Z. ZHOLI: Biri i Detit – "Gjigandi i Vlorës", tmerri i piratëve në Mesdhe

Klubi Patriotik “Labëria” Vlorë: Çfarë do të ndodhë me godinën historike?

Nga protestat qytetare te sqarimi i kryeministrit Rama, ministrit Gonxhja dhe garancia e Bashkisë së Vlorës

Albert Z. ZHOLI
Debati për fatin e godinës historike të ish-Klubit Patriotik “Labëria” në Vlorë ka marrë ditët e fundit një dimension të gjerë publik. Në qendër të diskutimit është një pyetje që shqetëson shumë qytetarë, intelektualë dhe personalitete të Vlorës: Çfarë projekti do të realizohet në godinën historike të Klubit “Labëria”?
Në një status të publikuar në Facebook më 4 shtator 2026, deputeti i Vlorës, Vullnet Sinaj, shkruan për ndërhyrjen që po bëhet në këtë zonë dhe ndër të tjera shprehet:
“Klubi Patriotik “Labëria” do të përjetësohet përmes rijetëzimit të Muzeut Etnografik të Vlorës!… Synimi është i qartë, një Muze Etnografik i rijetëzuar, pjesë e Qendrës Historike të Vlorës dhe një pikë e rëndësishme referimi për kulturën, historinë dhe turizmin e qytetit.” Por ky deklarim nuk i dha fund debatit. Përkundrazi, ai solli reagime të shumta, pasi prej kohësh në Vlorë qarkullonin pretendime se në godinën ku ndodhet Muzeu Etnografik dhe ku, në vitin 1908, u krijua Klubi Patriotik “Labëria”, do të ndërtohej një Muze Hebraik. Qytetarë, intelektualë dhe personalitete të qytetit kanë kërkuar sqarime të qarta institucionale. Pyetja është e thjeshtë: Muze Etnografik apo Muze Hebraik? Dhe, mbi të gjitha, në cilën godinë?

Shoqëria civile proteston në Vlorë
Debati kaloi edhe në protestë publike.
Shoqëria civile protestoi këtë të shtunë në Vlorë kundër projektit për ndërtimin e Muzeut Hebraik në godinën ku ndodhet Muzeu Etnografik dhe ku, në vitin 1908, u krijua Klubi Patriotik “Labëria”. Me pankarta në duar dhe thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë historike të qytetit, protestuesit kundërshtuan projektin dhe kërkuan nga institucionet anulimin e vendimit për ndërtimin e muzeut. Një prej mesazheve kryesore të protestës ishte: “Jo Muzeu Hebrenjve, por Muzeu i Labërisë!”
Protesta dëshmoi se çështja tashmë është bërë pjesë e debatit publik në Vlorë. Për qytetarët që dolën në protestë, godina dhe identiteti historik i Klubit “Labëria” duhet të ruhen dhe të marrin një funksion që lidhet drejtpërdrejt me historinë dhe trashëgiminë e Labërisë. Në të njëjtën kohë, ekziston një tjetër detyrim publik: të sqarohet në mënyrë të pakundërshtueshme nëse projekti i Muzeut Hebraik prek apo jo godinën historike të Klubit “Labëria”.
ndërsa ka theksuar se paralelisht me Muzeun Hebraik është parashikuar edhe rijetësimi i Muzeut “Labëria”.
Reagimi i kryeministrit Rama:
“Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko pijanikun kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës – një gur themeli i kujtesës historike të qytetit të Pavarësisë e të lavdisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore – me pretendimin pervers dhe shpifarak se medemek po u shkatërroka Muzeu Labëria ose ndryshe Muzeu Etnografik. ndërsa ka theksuar se paralelisht me Muzeun Hebraik është parashikuar edhe rijetësimi i Muzeut “Labëria”. Çeta e Lesko Pijanikut e ka zakon këtë ritual sulmesh mbi kantieret e transformimit epokal të Vlorës, por populli vlonjat duhet ta dijë që me kërkesën time, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mije USD per hartimin e projektit të Rilindjes së Muzeut Labëria, një karakatinë e degraduar totalisht që do të kthehet krahas Muzeut Hebraik në një tjetër derë të hapur krenarie të Vlorës patriotike e turistike. Dhe Lesko Pijaniku do vrapojë tek kantieret e radhës, njësoj siç vrapon përnatë pas kecave e pulave që shoqërojnë rrëketë e rakisë në gurmazin e pangopur të tij”

Ç’ka thënë ministri Blendi Gonxhja?
Përballë këtij debati ka ardhur edhe një sqarim para 1 jave nga ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, i cili e konsideron pretendimin se Muzeu Hebraik po ndërtohet në godinën e Klubit “Labëria” si të pavërtetë. Sipas ministrit, bëhet fjalë për dy godina të ndryshme, dy pasuri kulturore të regjistruara veçmas dhe dy projekte të ndryshme. Gonxhja sqaron se godina e Muzeut Etnografik të Vlorës është monument kulture dhe mban zyrtarisht emërtimin “Banesa ku në vitin 1908 u ngrit Klubi Patriotik ‘Labëria’”, ndërsa Muzeu Hebraik, sipas tij, po realizohet në një tjetër godinë, gjithashtu monument kulture, e regjistruar si “Banesa pranë Klubit Labëria”. Ministri i referohet edhe mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Vlorës të 13 marsit 2024, ku është diskutuar projekti i Muzeut Hebraik. Sipas sqarimit të tij, në procesverbalin zyrtar të asaj mbledhjeje thuhet se Muzeu Etnografik nuk do të preket dhe se ndërhyrja i përket banesës ngjitur, ndërsa “vetë Klubi Labëria, nuk do të preket”.
Ky është një element i rëndësishëm për debatin, sepse e zhvendos çështjen nga thashethemet dhe rrjetet sociale te dokumentet zyrtare.

Klubi “Labëria” nuk do të prishet
Sqarimi i ministrit shkon edhe më tej. Sipas tij, godina e Klubit “Labëria” jo vetëm që nuk do të preket, por do të restaurohet dhe rijetëzohet. Kjo pikë ka rëndësi të veçantë për Vlorën. Klubi Patriotik “Labëria” nuk është thjesht një godinë. Ai është pjesë e kujtesës historike të qytetit dhe lidhet me një prej periudhave më të rëndësishme të veprimtarisë patriotike shqiptare. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërhyrje në këtë godinë kërkon transparencë të plotë, dokumentacion të qartë dhe komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe organizatat që merren me trashëgiminë historike e kulturore.

Takimi i Shoqatës “Labëria” me kryetaren e Bashkisë
Në kushtet e këtij debati, një takim i kryesisë së Shoqatës “Labëria” me kryetaren e Bashkisë së Vlorës Dr. Brunilda Mersini mori rëndësi të veçantë.
Në takim morën pjesë kryetari i Shoqatës “Labëria”, Agim Ciraku, Prof. Ago Nezha, Ahmet Demaj, Albert Habazaj dhe përfaqësues të tjerë.
Në takim u kërkua sqarim i drejtpërdrejtë për fatin e godinës së Klubit “Labëria” dhe për projektet që lidhen me këtë zonë historike. Nga ana e Bashkisë së Vlorës u dha garancia se Klubi “Labëria” nuk do të prishet, por do të restaurohet dhe rijetëzohet. Gjithashtu u sqarua se Muzeu Hebraik nuk do të ndërtohet në godinën e Klubit “Labëria”. Ky sqarim i dhënë në takim është një element që duhet të qetësojë një pjesë të shqetësimeve të ngritura në opinionin publik.

Tani duhen dokumentet dhe transparenca
Debati për Klubin “Labëria” tregon edhe një problem më të gjerë: kur bëhet fjalë për objekte me vlerë historike, mungesa e informacionit të qartë krijon menjëherë hapësirë për interpretime, dyshime dhe përplasje.
Prandaj, më e mira që mund të bëjnë institucionet është të publikojnë qartë projektet, vendimet, statusin juridik të të dyja godinave dhe destinacionin përfundimtar të secilës prej tyre. Nëse, siç deklarohet nga kryeministri Rama ministri Gonxhja dhe nga Bashkia e Vlorës, Klubi “Labëria” nuk preket, nuk prishet dhe do të restaurohet, atëherë kjo duhet të jetë edhe e dokumentuar dhe e bërë e qartë për publikun. Vlonjatët nuk kanë nevojë për tymnaja, por as për deklarime të përgjithshme. Kanë nevojë për fakte, dokumente dhe transparencë. Klubi “Labëria” është pjesë e historisë së Vlorës. Restaurimi dhe rijetëzimi i tij do të ishte një lajm i mirë për qytetin, nëse bëhet me respekt të plotë për historinë, identitetin dhe vlerat e tij.
Historia nuk mbrohet vetëm me fjalë. Ajo mbrohet duke ruajtur monumentet, duke respektuar dokumentet dhe duke i dhënë publikut të drejtën të dijë të vërtetën.

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Cami

Tefta Cami: SHKOLLA ËSHTË VATËR E DIJES, KULTURËS DHE ATDHEDASHURISË

Dikur kam përshëndetur 750 mijë fëmijë të kopshteve e nxënës dhe studentë. Tani ju përshëndes …