Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin u dënuan ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Përmes një deklarate zyrtare, institucioni më i lartë ligjvënës i Shqipërisë e ka cilësuar vendimin si thellësisht të padrejtë, duke shprehur indinjatë të thellë dhe mosdakordësi të plotë me përfundimet e gjykatës. Në deklaratë, Kuvendi i Shqipërisë thekson se lufta e UÇK-së duhet të kuptohet në kontekstin historik të përpjekjes së popullit të Kosovës për çlirim nga represioni, dhuna dhe përndjekja e regjimit të Slobodan Milosheviçit. Sipas qëndrimit të shprehur në këtë reagim, lufta çlirimtare ishte përgjigje ndaj represionit sistematik, spastrimit etnik dhe krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën”, thuhet në deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë. Kuvendi vlerëson se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të lidhur ngushtë me historinë e luftës për çlirimin e Kosovës dhe rrugëtimin e saj drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë. Në këtë kuadër, institucioni shqiptar shpreh shqetësimin për atë që e konsideron trajtim me standarde të dyfishta të së kaluarës së përgjakshme të rajonit, duke përmendur edhe nderimet publike e shtetërore për persona të dënuar për krime lufte dhe glorifikimin e figurave të lidhura me krimet e regjimit serb, përfshirë Ratko Mladiçin. Kuvendi i Shqipërisë shpreh solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe me katër ish-drejtuesit e UÇK-së dhe familjet e tyre. “E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
